Skip to content

Cili duhet të jetë imazhi i Shqipërisë?

27. 05. 2014 nga Frank Shkreli

Version i përshtatshëm për printim
frank_shkrel.jpg

Javën që kaloi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nën-Kryeministri në largim i Kosovës dhe njëherazi kryetar i Partisë AKR-së, Behgjet Pacolli vizituan Kazakistanin për të biseduar, siç thanë ata, mbi përspektiva të reja investimesh në Shqipëri. Në njoftimet u tha se udhëheqsit shqiptarë u pritën mirë në Kazakistan, siç duket falë faktit se Behgjet Pacolli, i cili e shoqëroi Kryeministrin Rama në atë vizitë, ka lidhje dhe interesa biznesi me atë vend.
Është normale që Shqipëria dhe Kosova përpiqen që të tërheqin sa më shumë investime të huaja, por ky shkrim i shkurtër e modest nuk ka të bëjë me mundësitë ose jo të investimeve kazake ose të ndonjë vendi tjetër, në Shqipëri dhe në Kosovë. Por me diçka tjetër që më ran në sy nga kjo vizitë. Në faqet e facebook të Behgjet Pacolit dhe Edi Ramës, sipas njoftimeve edhe në media, Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev – gjatë bisedimeve me presidentin kazak i cili siç duket nuk ishte i kënaqur me imazhin e Shqipërisë në botë, e këshilloi Kryeministrin Rama që të përmirësojë imazhin e vendit duke përdorur figurën e Gjergj Kastritotit -Skënderbe për një imazh më të mirë për kombit shqiptar në botë. Sipas Behgjet Pacollit, i cili mori pjesë në takimet e delegacionit shqiptar me udhëheqsit kazakë, Presidenti Nazarbajev i tha Edi Ramës tekstualisht se, “Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar". Interesant është fakti se asnjë prej pjesëmarrëseve në atë takim me udhëheqsin kazak, nuk njofton në rrjetët e tyre sociale se cili ishte reagimi i delegacionit shqiptar, përfshirë edhe Kryeministrin Rama. A e falenderuan Nazarbajevin për këtë koment për njohjen e meritave të heroit komëta të Shqiptarëve? A u ndjenë përfaqsuesit shqiptarë krenarë me vlerësimin e Skënderbeut nga një udhëheqës i Azisë Qëndrore?
Fatkeqsisht, ky moment nga vizita në Kazakistan zotërinjve Rama dhe Pacolli pasqyron edhe njeherë faktin se Shqipëria ka një problem serioz me imazhin e saj, dhe kjo jo vetëm në botën perëndimore, por ja tani edhe një despot i Azisë Qendrore ka konstatuar se diçka nuk është në rregull me imazhin e Shqipërisë në botë. Dhe për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, Nazarbajev u sugjeroi shqiptarëve, që të përdorin “figurën e jashtzakonshme të Skënderbeut” për të promovuar një imazh pozitiv në botë për kombin shqiptar. Gati sikurë Nazarbajev u tha, eh ta kishim ne këtë figurë të jashtzakonshme.....sa krenarë do të ishim ne me të.
A ra në veshë të shurdhë ky vlerësim dhe ky sugjerim, ndërsa kohët e fundit po zhvillohet një debat i ashpër politik me fjalë dhe po pasqyrohet me vepra mbi imazhin e Shqipërisë në botë i shoqëruar edhe nga dukuri të portretit të diktatorit Enver Hoxha, përveç problemeve shoqërore, përfshirë korrupsionin dhe grindjet politike, të cilat definitivisht nuk ndihmojnë në promoovimin e një imazhi pozitiv për vendin. Atëherë nëqoftse ky imazh duhet të ndryshojë, siç sugjeroi kohët e fundit edhe presidenti kazak Nazarbajev, cila duhet të jetë rruga që duhet ndjekur, ajo e mburrje me portretin e Enver Hoxhës apo rruga e Gjergj Kastriotit - Skënderbe. A duhet ndjekur Flamuri i Gjergj Kastriotit, ai Flamur i Lirisë, i Nderit, i Burrërisë dhe i Besës, i Besëlidhjes së Lezhës dhe i Lidhjes së Prizrenit? Dhe a do zgjidhë klasa e sotëme politike, rrugën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, që Papa Pali i VI e pat quajtur, "Të Gjithmonshim e fisit tuaj, i cili gjithëherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, nderit e të burrërisë....Këto virtyte, Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim'', përfundoi Papa Pali i VI në mesazhin e tij drejtuar kombit shqiptar, me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit, në Romë me 25 Prill 1968. A është kjo trashëgimi, a po klasa e sotëme politike, për interesa të ngushta vetjake, partiake e financiare -- siç është venë në dukje kohët e fundit -- do të vazhdojë t'i mbetet besnike një trashëgime të një diktatori komunist dhe të një ideologjie të huaj që ai i imponoi vendit të vet, dhe e cila i ka kushtuar rëndë dhe vazhdon gjithnjë të rëndojë mbi imazhin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar?
Andaj, a do të ndërtohet Shqipëria e re pas komuniste në bazë të karakterit, moralit dhe të cilësive burrërore të Gjergj Kastriotit Skendërbe, apo duke u bazuar në rrugën dhe në trashëgiminë e Enver Hoxhës? Megjithëse është turp të bëhet krahasimi, por zhvillimet e fundit në Shqipëri, detyrojnë të bëhet pyetja se cilën rrugë dëshiron Shqipëria -- madje edhe pothuaj një çerek shekulli pas rënjes së komunizmit -- sepse duket se e ka humbur rrugën ose të pakën nuk e ka gjetur drejtimin e përcaktuar nga Gjergj Kastrioti, krenarisë së kombit, i cili bashkoi princat e Arbërit si asnjëherë më parë dhe më pas në një unitet moral kombëtar e shpirtëror, duke i bërë të gjithë krenarë dhe të ndjeheshin anëtarë të një sofre të përbashkët. Kjo është trashëgimia që duhet të mprohet dhe të jetohet nga të gjithë dhe jo trashëgimia e përçarjeve.
Unë jam dakort me Nazarbajevin e Kazakistanit -- megjithëse si despot që është nuk kam aspak respekt për të pasi si një udhëheqës diktator ndonëse jo në nivelin enevrist – ai është më afër Enver Hoxhës dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Gjergj Kastriotin Skëndrebe -- që Shqipëria dhe kombi shqiptar, nëqoftse me të vërtetë dëshirojnë të përmirësojnë imazhin e vet në botë, atëherë, siç tha ai,“Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar".

Në faqën e facebook të Kreministrit Rama vihet re promovimi i një ideje të re "origjinale", "Ndiq rrugën tënde", ku ndër të tjera ftohen qytetarët që të ndikojnë me idetë e tyre për një "qeverisje moderne dhe europiane në Shqipëri'', ashtuqë, sipas njoftimit, të jenë pikërisht ata, të cilët "do të përvijojnë Shqipërinë e së ardhmes". Sugjerimi im është që si fillim, mos u largoni por rrini afër bazës morale dhe interesave madhore të kombit shqiptar të përcaktuara nga heroi i vërtetë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe dhe mos e bazoni të ardhmen e vendit në trashgiminë e heronjëve të rrëjshëm. Kjo do t’u bëjë ju një brez krenar, burim shpresash për liri e bashkim kombëtar -- bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të heroit të vërtetë kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe i të gjitha kohërave --Gjergj Kastriotit -- për të cilin ka lakmi bota.
Andaj kontributi im ndaj idesë së fushatës së hedhur në facebook-un e Kryeministrit Rama, “Ndiq Rrugën Tënde’’ dhe në përputhje me sugjerimin që vjen nga Azia Qendrore -- është që nëqoftse me të vërtetë dëshironi përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në botë -- atëherë merrni parasyshë seriozisht sugjerimin e presidentit kazak, Nazarbajev dhe "përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar", të këtij çlirimtari të kombit dhe mbrojtsit të Europës dhe jo portretet dhe imazhet e diktatorit Enver Hoxha. Kjo është e vetmja rrugë për të gjithë Shqiptarët kudo dhe në këtë rrugë, me qëllim dhe vullnet të mirë si dhe me dashuri dhe bashkim me njëri tjetrin, sipas vet Skënderbeut, ”Perëndia, si gjithnjë edhe paskëtaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar